88 milionë euro import energjie për të mbuluar humbjet në 2015
30 May 2016, Rilindja Demokratike
Energjia e importuar për të mbuluar energjinë e konsumuar dhe të papaguar kapi vlerën e 88 milionë eurove në vitin 2015 sipas të dhënave të Entit Rregullator për statistikat e energjisë.
Pjesa më e madhe humbjes u importua nga jashtë. OSHEE harxhoi 77 milionë euro për importin në tregun e jashtëm dhe rreth 13 milionë euro bleu tepricat e KESH që shkuan për mbulimin e humbjeve. Niveli i humbjeve për vitin 2015 u ul në 31.3%. Një vit më parë ato ishin 37.8%, ndërsa në vitin 2013 arrinin në 45%.
Ulja e humbjeve në rrjet e ka reduktuar ndjeshëm edhe importin e energjisë për këtë qëllim. Një vit më parë, importi për llogari të humbjeve ishte rreth 140 milionë euro.
Gjatë vitit 2015 efektiviteti i shitjes të energjisë elektrike ka shënuar një trend përmirësimi në raport me periudhën 2011-2014 në referencë gjithnjë të faktorëve përcaktues në nivelin e efiçencës së konsumit të energjisë.
Niveli total i arkëtimeve i raportuar nga OSHEE sh.a është 100.8% kundrejt energjisë elektrike të faturuar për vitin 2015. Kjo shifër përfshin edhe arkëtimet e prapambetura të periudhës 2007-2014 në vleftën 12, 22 miliardë lekë.
Deri në vitin 1998, (me përjashtim vetëm të vitit 1990) vendi ynë ka qenë një vend eksportues neto i energjisë elektrike.
Për periudhën 1998-2015, me përjashtim të vitit 2010, vendi ynë rezulton të jetë një importues neto i energjisë elektrike.
Tender i panevojshëm 8 milionë euro
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) do të nisë shumë shpejt regjistrimin e konsumatorëve derë më derë. Ky projekt do të jetë për nevojat e OSHEE për të detajuar konsumatorët në prag të liberalizimit të tregut dhe formalizimin e plotë të tyre në pagesën e energjisë elektrike.
Për të realizuar këtë mision, OSHEE ka startuar një tender 850 milionë lekë, ose afërisht 7 milionë dollarë. Burimi i financimit do të jetë nga të ardhurat e OSHEE sh.a dhe të buxhetit të shtetit. Po përse duhet ky tender, ndërkohë që konsumatorët janë të identifikuar? Më shumë duket se kemi të bëjmë me një tender fiktiv se një tender të nevojshëm.
Agjencia e prokurimit njoftoi në emër të OSHEE se, ofertat do të pranohen deri më 7 korrik të këtij viti. Kompanitë pjesëmarrëse do të dorëzojnë produktin (të dhënat për konsumatorët) pas gjashtë muajsh nga nënshkrimi i kontratës.
Sipas shpalljes për tender, identifikimi i konsumatorëve derë më derë do të bëhet për një rakordim me të dhënat që ka regjistri i gjendjes civile.
OSHE qysh prej vitit të kaluar ka përfshirë në një proces indentifikimi të gjithë konsumatorët, duke nisur fillimisht me bizneset. Është tashmë gati një regjistër me konsumatorët më të mëdhenj mbi 35 kilovolt dhe me fashat e tjera më poshtë këtij konsumi.
Harta e re konsumatorëve ka si qëllim kryesor reduktimin e humbjeve në rrjetin e energjisë elektrike për të arritur objektivat që janë dhënë në strategjinë që aplikohet në sektor.
Kjo hartë pritet t’i shërbejë OSHEE për të racionalizuar edhe investimet në rrjet në të ardhmen.
Tendera edhe për imazhin e OSHEE
Në vend që të investohet në rrjetin e amortizuar apo edhe në matësat elektrikë, me qëllim që të mos ketë mbifaturime, zyrtarët e OSHEE-së kanë akorduar plot 135 milionë lekë të vjetra për të blerë postera, me qëllim që të kenë një imazh më të mirë në publik. Ata harrojnë se pikërisht qytetarët dëshirojnë më shumë që të mos ketë abuzime së pari dhe më pas zyrtarët të mendojnë për luksin. Sipas tenderit, objekti i prokurimit është “Riorganizimi i brendshëm i pikave të Kujdesit ndaj Klientit (kategoria A), për përshtatjen e sistemit të menaxhimit automatik të radhës dhe monitorimin audio–video”. Megjithatë, në këtë rast nuk bëhet fjalë për ndonjë blerje pajisje të kushtueshme, por vetëm të disa posterave.
Ballkani, investime në fabrika qymyri dhe centrale ere
Vendet e Ballkanit Perëndimor po planifikojnë të ndërtojnë 2 fabrika të reja të qymyrit dhe të centraleve të erës, në pesë vitet e ardhshme.
Ky vendim, i cili është në kontrast të mprehtë me angazhimet e tyre për të rritur pjesën e energjisë së rinovueshme, njoftohet nga organizata joqeveritare Bankwatch.
Kostoja e ndërtimit të impianteve të planifikuara të energjisë me qymyr arrin në mbi 4,5 miliardë euro (5 miliardë $), ndërsa investimet në projektet e planifikuara të erës shkon deri në 1.9 miliardë euro, nënvizohet në raportin e fundit të Bankwatch, ku citohet Shqipëria, Bosnje-Hercegovinën, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.
Planet e investimeve të Ballkanit Perëndimor janë në kontrast të fortë me situatën në BE, ku shumica e vendeve janë duke i dhënë përparësi ndërtimit të centraleve të reja me qymyr, ndërsa në shtetet e BE-së janë tashmë të fokusuar te energjia e rinovueshme. Për më tepër, citon raporti, ato janë në kundërshtim me angazhimet e vetë tyre për të rritur energjinë e rinovueshme deri në vitin 2020, që të arrijnë diku në mes të 25 dhe 40% të nivelit të energjisë, si pjesë e detyrimeve të tyre sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
Investimet në ndërtimet e centraleve të erës kanë qenë duke “u luftuar” në Ballkanin Perëndimor deri më tani, vinte në dukje raporti. “Arsyet për këtë janë të ndryshme dhe variojnë nga procedurat e palogjikshme të lejeve dhe legjislacionit të pazhvilluar për shkak të mungesës së vullnetit politik për të lëvizur projektet përpara”, nënvizon raporti.